Home

Rrezatimi, ky rrezik i heshtur dhe i neglizhuar nga shqiptarët

Interviste e Kryetarit te Shoqates Shqiptare te Fizikes Mjekesore, Dr. Niko Hyka, dhene per gazeten shendeti me rastin e dites nderkombetare te Fizikes Mjekesore:

 

7 nëntori shënon Ditën Ndërkombëtare të Fizikës Mjekësore. Fizikanët mjekësor në mbarë botën përkujtojnë 150 vjetorin e kësaj date.

Kjo ditë përkujtohet për nder të fizikanes dhe kimistes Marie Sklodowska Curie, e njohur si pioniere për kërkimet e saj në fushën e radioaktivitetit.

Në të vërtetë kjo është një ditë ndërgjegjësimi për të rritur rolin që fizika mjekësore dhe fizikanët luajnë në dobi të shëndetit dhe njerëzimit.

Kjo është dita kur ndërkombëtarisht kthehet vëmëndja ndaj personave që punojnë dhe bashkëjetojnë me rrezatimet.

Po çfarë ndodh në Shqipëri? Sa njihet kjo ditë? Cili është roli i fizikanit mjekësor në vendin tonë?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve dhe për të shtuar më shumë njohuritë rreth fizikës mjekësore, ne kemi intervistuar z. Niko Hyka, doktor në fizikën e aplikuar, i cili njëkohësisht është Kryetar i Shoqatës Shqiptare së Fizikës Mjekësore, (AAMP).

I nderuar z.Hyka, çfarë është për fizikanët shqiptarë 7 nëntori dhe sa përkujtohet kjo datë?

Data 7 nëntor shënon Ditën Ndërkombëtare të Fizikës Mjekësore dhe profesionit të fizikanit mjekësor.

Kjo datë është një ditë ndërgjegjësimi e lidhur ngushtësisht me fizikën mjekësore dhe shëndetin publik.

Në këtë ditë, organizma të ndryshëm të fizikës mjekësore organizojnë konferenca e aktivitete që lidhen me zhvillimet, rolin dhe promovimin e mëtejshëm të profesionit të fizikanit mjekësor.

Padyshim që edhe ne në Shqipëri jemi pjesë e këtyre aktiviteteve.

Prej vitit 2013 ne jemi organizuar në Shoqatën Shqiptare të Fizikës Mjekësore (AAMP), e cila si mision kryesor ka mbështetjen dhe promovimin e këtij profesioni në vendin tonë.  Ky profesion lidhet tërësisht me aplikimet e fizikës në fushën e mjekësisë dhe mbrojtjes nga rrezatimet.

Të gjithë anëtarët e shoqatës janë të angazhuar në shërbimet klinike në qendra të ndryshme spitalore, kryesisht në departamentet e radioterapisë, mjekësisë bërthamore, oficerë të radiombrojtjes, mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në fushën e fizikës mjekësore.

Si profesion ende nuk ka fituar statusin që duhet të ketë. Për këtë arsye jemi në fazën e marrjes së disa hapave të rëndësishëm për promovimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të fizikës mjekësore.

A mund të na zbuloni diçka më shumë rreth organizimit dhe hapave të mëtejshëm të zhvillimit të AAMP?

Disa prej tyre po i rendis shkurtimisht:

Do të bëjmë të njohur profesionin  e fizikanit mjekësor dhe të çdo profesioni tjetër që ka të bëjë me rrezatimet jonizuese, të mbrojmë të drejtat e tyre dhe t’i mbështesim në aktivitete kërkimore e shkencore.

Shumë shpejt do të krijojmë rrjetin e profesionistëve në trojet shqipfolëse që punojnë me rrezatimet jonizuese, mësimdhënies dhe kërkimit, që kanë statusin e fizikanit mjekësor apo që shërbejnë aktualisht në qendra të ndryshme spitalore, shëndetësore e terapeutike.

Me ndihmën e shoqatës evropiane, do të nisim procesin e trajnimit të vazhdueshëm të tyre, stafeve të qendrave të ndryshme spitalore dhe personave të tjerë të interesuar.

AAMP, do të ofrojnë asistencë ndaj institucioneve dhe individëve që synojnë të kenë një aktivitet në fushën e fizikës mjekësore.

Dhe së fundmi, ne do të nisim një sërë aktivitetesh me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për rrezatimet jonizuese dhe jo jonizuese si dhe efektet e tyre në organizmin njerëzor.  Për këtë qëllim do të organizojmë aktivitete informuese periodike si dhe do të publikojmë rezultate të studimeve në fushën e fizikës mjekësore etj.

Pse e konsideroni kaq të rëndësishëm informimin e publikut? Dhe sa i rrezikuar është publiku nga rrezatimet?

Rrezatimi jonizues konsiderohet pa frikë një vrasës i heshtur nëse qëniet e gjalla janë nën ekspozimin e tij. Ne duam të informojmë popullatën në lidhje me rreziqet që vijnë nga rrezatimet, kryesisht me natyrë artificiale, pra të përdorura nga njeriu për qëllime diagnostike e terapeutike.

Ka një parim themelor në fizikën mjekësore, që është principi ALARA( ALARA – As Low As Reasonably Achievable), sipas të cilit arsyeja e ekspozimit të pacientit ndaj rrezatimit duhet të përligjë efektin anësor të shkaktuar prej tij. Pra, pacienti duhet të ketë më shumë përfitime sesa humbje nga një ekzaminim radiologjik apo trajtim klinik me rrezatime jonizuese.

Ne duam të informojmë publikun mbi kufijtë e ekspozimit dhe përputhshmërinë ligjore të aplikimit dhe protokollet e sigurisë ndaj rrezatimit. Pacienti duhet të informohet mbi efektet anësore qoftë nga një diagnostikim / trajtim i thjeshtë deri tek trajtimet më komplekse në radioterapi apo mjekësinë bërthamore.

Pra ju po thoni që secili prej nesh kur kryen qoftë edhe një grafi të thjeshtë, rrezatimi ka pasoja?

Nëse e doni kaq shkurt, po. Por përgjigjja nuk është kaq e thjeshtë. Duhet të kemi parasysh që çdo individ, i cili jeton dhe kryen një aktivitet normal, është i ekspozuar ndaj rrezatimeve me origjinë të ndryshme. Secili prej nesh merr një dozë vjetore të rrezatimit dhe çdo shtesë përtej kësaj vlere nuk kalon pa pasoja.

E kombinuar kjo edhe me faktorë të tjerë si: profesioni që kemi, ndotja e mjedisit, ushqimi, stili  i jetesës pa aktivitet fizik etj., mund të cojnë në rezultate të padëshirueshme. Gjithsesi, kjo është një temë mjaft e ndjeshme dhe ka nevojë për analizë të detajuar. Prandaj ne në AAMP jemi vërtet të interesuar për ta hapur këtë debat dhe diskutim dhe që do ti vlejë mjaft publikut në tërësi.

Po valët/rrezatimet që vijnë nga celularët, antenat, pajisjet që përdoren në shtëpitë tona, sa e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve?

Edhe kjo çështje është mjaft e ndjeshme dhe përgjigjet e shkurtra ndonjëherë më shumë janë dezinformuese së sa të dobishme.

Gjithsesi, në këtë rast bëhet fjalë për rrezatimet jo jonizuese dhe sikundër dihet, këto nuk janë të dëmshme për organizmat e gjalla nëse ato mbahen brenda limiteve të këshilluara.

Problemi qëndron se zhvillimi i teknologjisë në vitet e fundit e ka rritur së tepërmi ekspozimin ndaj brezit të frekuencave të komunikimit/radiovalët.

Secili prej nesh me pak informacion dhe veprime, mund të reduktojë këtë nivel ekspozimi, si p.sh mosmbajtja e celularëve shume afër, mbyllja e tyre gjatë natës, pozicionimi i wireless-it, reduktimi i përdorimit të mikrovalës etj.

E përsëris, kjo nuk duhet kthyer në fobi, thjesht më shumë informacion dhe më shumë kujdes. Kujtoni principin ALARA, cili është përfitimi i një celulari të hapur natën? Ose më keq akoma, cili është përfitimi i mbajtjes së mbi 5 celularve që ka sot çdo familje mesatarisht, hapur në kohën e gjumit? Përgjigjen besoj e keni të qartë

Rate this item
(0 votes)
social share